A u kryqëzua Jezus në një të premte?



Pyetje: A u kryqëzua Jezus në një të premte?

Përgjigje:
Bibla nuk e thotë hollësishëm se në çfarë dite të javës u kryqëzua Jezusi. Dy pikëpamjet më të pranuara së tepërmi janë e premtja dhe e mërkura. Disa, megjithatë, duke përdorur një sintezë të argumenteve të së premtes dhe të së mërkurës, argumentojnë për të enjten si dita e kryqëzimit.

Jezusi tha në Mateu 12:40: “Në fakt ashtu si Jona qëndroi tri ditë e tri net në barkun e peshkut të madh, kështu Biri i njeriut do të qëndrojë tri ditë e tri net në zemër të tokës”. Ata që argumentojnë për një kryqëzim të premten thonë se prapë qëndron një mënyrë e vlefshme sipas së cilës Ai mund të ishte konsideruar në varr për tri ditë. Në pikëpamjen e judenjve të shekullit të parë, një pjesë e ditës ishte konsideruar si një ditë e plotë. Duke qenë se Jezusi ishte në varr për një pjesë të së premtes, gjithë të shtunën dhe të pjesë të së dielës – Ai mund të konsiderohej se ishte në varr për tri ditë. Një nga argumentet kryesore për të premten gjenden në Marku 15:42, që tregon se Jezusi u kryqëzua në “vigjiljen e shabatit”. Nëse ky ishte shabati i përjavshëm, pra, e shtuna, atëherë ky fakt na drejton në një kryqëzim të së premtes. Një argument tjetër për të premten thotë se vargje si Mateu 16:21 dhe Luka 9:22 mësojnë se Jezusi do të ringjallej të tretën ditë; prandaj, Atij nuk do t'i duhej të rrinte në varr për tri ditë dhe tri net të plota. Por ndonëse disa përkthime përdorin “të tretën ditë” për këto vargje, jo të gjitha versionet e bëjnë këtë dhe jo të gjithë pajtohen se “të tretën ditë” është mënyra më e mirë për t'i përkthyer këto vargje. Veç kësaj, Marku 8:31 thotë që Jezusi do të ringjallej “pas” tri ditësh.

Argumenti i së enjtes zhvillohet nga pikëpamja e së premtes dhe argumenton kryesisht që ka shumë ngjarje (disa numërojnë deri në njëzet) që ndodhin midis varrosjes së Krishtit dhe mëngjesit të së dielës që mund të ndodhin nga mbrëmja e së premtes deri mëngjesin e së dielës. Përkrahës të pikëpamjes të së enjtes nxjerrin në pah se kemi veçanërisht një problem kur dita e vetme e plotë midis së premtes dhe të dielës ishte e shtuna, shabati i judenjve. Një ditë shtesë ose dy ditë e eliminojnë këtë problem. Mbrojtësit e së enjtes do të arsyetonin kështu: supozoni që nuk e keni parë një mik që prej të hënës në mbrëmje. Herën tjetër që e takoni është të enjten në mëngjes dhe ju thoni: “Nuk të kam parë për tri ditë”, edhe pse teknikisht kanë kaluar vetëm 60 orë (2.5 ditë). Nëse Jezusi është kryqëzuar të enjte, ky shembull tregon se si mund të konsiderohen tri ditë.

Opinioni i së mërkurës pohon që ishin dy shabate atë javë. Pas të parit (atij që ndodhi mbrëmjen e kryqëzimit [Marku 15:42; Luka 23:52-54]), gratë blenë erërat—vini re që ato i blenë ato mbas shabatit (Marku 16:1). Pikëpamja e së mërkurës pohon që ky “shabat” ishte Pashka (shih Levitiku 16:29-31; 23:24-32, 39, ku ditët e shenjta të larta që nuk janë medoemos dita e shtatë e javës janë referuar si shabati). Shabati i dytë atë javë ishte shabati normal i përjavshëm. Vini re që në Luka 23:56, gratë që i kishin blerë erërat pas shabatit të parë u kthyen dhe i përgatitën erërat, pastaj “gjatë shabatit pushuan”. Argumenti pohon se ato nuk mund t'i blinin erërat pas shabatit, e njëkohësisht t'i përgatitnin ato erëra përpara shabatit—nëse nuk ishin dy shabate. Me pikëpamjen e dy shabateve, nëse Krishti u kryqëzua të enjten, atëherë shabati i shenjtë i lartë (Pashka) do të kishte filluar të enjten në perëndim të diellit dhe do të kishte përfunduar të premten në perëndim të diellit—në fillim të shabatit të përjavshëm ose të shtunën. Blerja e erërave pas shabatit të parë (Pashka) do të thoshte që ato i kishin blerë erërat të shtunën dhe do kishin shkelur shabatin.

Prandaj, sipas pikëpamjes së të mërkurës, shpjegimit të vetëm që nuk e dhunon historinë biblike të grave dhe të erërave dhe që përqafon një kuptim të fjalëpërfjalshëm të Mateu 12:40, është që Krishti u kryqëzua të mërkurën. Shabati që ishte një ditë e shenjtë e lartë (Pashka) ndodhi të enjten, gratë i blenë erërat (pas kësaj) të premten dhe u kthyen dhe i përgatitën erërat po atë ditë, pastaj pushuan të shtunën që ishte shabati i përjavshëm, pastaj i sollën erërat te varri guvë herët në dielën. Jezusi u varros afër perëndimit të diellit të mërkurën, që fillonte të enjten sipas kalendarit judaik. Duke përdorur një kalendar judaik, kemi natën e së enjtes (nata një), ditën e së enjtes (dita një), natën e së premtes (nata dy), ditën e së premtes (dita dy), natën e së shtunës (nata tre), ditën e së shtunës (dita tre). Ne nuk e dimë saktësisht në çfarë ore Ai u ngjall, por e dimë që kjo ndodhi përpara agimit të dielën. Ai mund të jetë ringjallur aq herët sa dhe vetëm pas perëndimit të diellit në mbrëmjen e së shtunës, që fillonte ditën e parë të javës për judenjtë. Zbulimi i varrit bosh u bë pikërisht në agim (Marku 16:2), kur ishte ende errët (Gjoni 20:1).

Një problem i mundshëm me pikëpamjen e së mërkurës është që dishepujt që po ecnin me Jezusin rrugës për në Emaus e bënë këtë “po atë ditë” të ringjalljes së Tij (Luka 24:13). Dishepujt, të cilët nuk e njohin Jezusin, i tregojnë Atij për kryqëzimin e Jezusit (Luka 24:20) dhe thonë se “sot është e treta ditë që kur ndodhën këto gjëra” (Luka 24:22). Nga e mërkura deri të dielën janë katër ditë. Një shpjegim i mundshëm është që ata mund të kenë qenë duke numëruar që prej mbrëmjes të së mërkurës në varrimin e Krishtit, që fillonte të enjten e judenjve dhe nga e enjtja deri të dielën mund të llogariten si tri ditë.

Në skemën e madhe të gjërave, nuk është edhe aq e rëndësishme të dimë se në çfarë dite të javës u kryqëzua Jezusi. Nëse do të ishte e rëndësishme, atëherë Fjala e Perëndisë do të na e kishte komunikuar qartë ditën dhe periudhën kohore. Ajo që është e rëndësishme është që Ai vërtet vdiq dhe që u ringjall fizikisht, trupërisht prej së vdekurish. Ajo që është njëlloj e rëndësishme është arsyeja e vdekjes së Tij—për të marrë dënimin që meritojnë të gjithë mëkatarët. Gjoni 3:16 dhe Gjoni 3:36 shpallin bashkë që vendosja e besimit tuaj në Të rezulton në jetë të përjetshme! Kjo është njëlloj e vërtetë qoftë nëse Ai u kryqëzua të mërkurën, të enjten apo të premten.



Kthehu tek faqja kryesore në Shqip



A u kryqëzua Jezus në një të premte?