settings icon
share icon
Pyetje

Përse është Perëndia kaq ndryshe në Dhiatën e Vjetër, sesa Ai është në Dhiatën e Re?


Në thelb të kësaj pyetje gjendet një keqkuptim themelor rreth asaj që zbulojnë Dhiata e Vjetër dhe Dhiata e Re për natyrën e Perëndisë. Një mënyrë tjetër për ta shprehur po këtë mendim bazë është kur njerëzit thonë: “Perëndia i Dhiatës së Vjetër është një Perëndi i zemërimit, ndërsa Perëndia i Dhiatës së Re është një Perëndi i dashurisë”. Fakti që Bibla është zbulesa progresive që Perëndia i bën Vetes për ne përmes ndodhive historike dhe përmes marrëdhënies së Tij me njerëz gjatë historisë mund të na ndihmojë për ide të gabuara rreth asaj se si është Perëndia në Dhiatën e Vjetër në krahasim me Dhiatën e Re. Megjithëkëtë, kur dikush e lexon edhe Dhiatën e Vjetër, edhe Dhiatën e Re, bëhet e qartë që Perëndia nuk është ndryshe nga njëri testament në tjetrin dhe që zemërimi i Perëndisë dhe dashuria e Tij janë zbuluar në të dy dhiatat.

Për shembull, gjatë Dhiatës së Vjetër, Perëndia është shpallur si “Perëndia [...] i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri” (Eksodi 34:6; Numrat 14:18; Ligji i Përtërirë 4:31; Nehemia 9:17; Psalmi 86:5, 15; 108:4; 145:8; Joeli 2:13). Sidoqoftë në Dhiatën e Re mirësia dhe mëshira e Perëndisë janë manifestuar akoma më plotësisht nga fakti që “Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Gjoni 3:16). Gjatë Dhiatës së Vjetër e shohim Perëndinë që sillet me Izraelin në të njëjtën mënyrë që do të sillej një atë i dashur me një fëmijë. Kur ata mëkatuan me dashje kundër Tij dhe filluan të adhuronin idhuj, Perëndia do t'i ndëshkonte. Mirëpo, gjithmonë Ai do t'i çlironte ata pasi ishin penduar për idhujtarinë e tyre. Kjo është pak e shumë mënyra se si vepron Perëndia me të krishterët në Dhiatën e Re. Për shembull, Hebrenjve 12:6 na tregon se “Perëndia ndreq atë që do dhe fshikullon çdo bir që i pëlqen”.

Në mënyrë të ngjashme, gjatë Dhiatës së Vjetër shohim zemërimin dhe gjykimin e Perëndisë që jepet mbi mëkatin. Gjithashtu, në Dhiatën e Re shohim që zemërimi i Perëndisë vazhdon “të zbulohet nga qielli për çdo pabesi e padrejtësi të njerëzve, që mbysin të vërtetën në padrejtësi” (Romakëve 1:18). Pra, është e qartë që Perëndia nuk është ndryshe në Dhiatën e Vjetër sesa Ai është në Dhiatën e Re. Nga vetë natyra e Tij Perëndia është i pandryshueshëm. Ndonëse ne mund të shohim njërin aspekt të natyrës së Tij të zbuluar në një pjesë të Shkrimit më shumë se aspekte të tjera, vetë Perëndia nuk ndryshon.

Ndërsa lexojmë dhe studiojmë Biblën bëhet e qartë që Perëndia është i njëjti në Dhiatën e Vjetër dhe në Dhiatën e Re. Edhe pse Bibla përbëhet nga 66 libra të veçuar që janë shkruar në dy (ose ndoshta tre) kontinente, në tri gjuhë të ndryshe, gjatë një periudhe prej përafërsisht 1500 vjetësh nga më shumë se 40 autorë, ai mbetet një libër uniform nga fillimi në fund pa kontradikta. Në të shohim se si Perëndia i dashur, i mëshirshëm dhe i drejtë vepron me njerëzit mëkatarë në tërë llojet e situatave. Vërtet, Bibla është letër dashurie nga Perëndia për njerëzimin. Dashuria e Perëndisë për krijimin, veçanërisht për njerëzimin, është e dukshme gjatë tërë Shkrimit. Gjatë tërë Biblës shohim Perëndinë që me dashuri dhe mëshirë i thërret njerëzit në një marrëdhënie të veçantë me Veten, jo ngaqë ata e meritojnë këtë, por për shkak se Ai është Perëndi i hirshëm dhe i mëshirshëm, i ngadalshëm në zemërim dhe i pasur në mirësi dhe besnikëri. Njëkohësisht e shohim Perëndinë të shenjtë dhe të drejtë i cili është Gjykatësi i të gjithë atyre që nuk i binden Fjalës së Tij dhe që refuzojnë ta adhurojnë Atë, duke iu kthyer në vend të kësaj adhurimit të perëndive që janë shpikje të vetë atyre (Romakëve kapitulli 1).

Për shkak të karakterit të shenjtë dhe të drejtë të Perëndisë, çdo mëkat – i kaluar, i tashëm dhe i ardhshëm – duhet të gjykohet. E megjithatë në dashurinë e Tij të pafund Perëndia ka siguruar një pagesë për mëkatin dhe një rrugë pajtimi, që njeriu mëkatar t'i largohet zemërimit të Tij. Ne e shohim këtë të vërtetë të mrekullueshme në vargje si 1 Gjonit 4:10: “Në këtë është dashuria: jo se ne e kemi dashur Perëndinë, por që ai na ka dashur ne dhe dërgoi Birin e tij për shlyerjen e mëkateve tona”. Në Dhiatën e Vjetër Perëndia siguroi një sistem flijimesh përmes së cilit mund të bëhej shlyerje për mëkatin. Megjithëkëtë, ky sistem flijimesh ishte veçse i përkohshëm dhe thjesht e hidhte vështrimin përpara tek ardhja e Jezu Krishtit i cili do të vdiste në kryqin për të bërë një shlyerje zëvendësuese të plotë për mëkatin. Shpëtimtari i cili ishte premtuar në Dhiatën e Vjetër është zbuluar plotësisht në Dhiatën e Re. Shprehja përfundimtare e dashurisë së Perëndisë, dërgimi i Biri të Tij Jezus Krisht, që ishte veçse e parashikuar në Dhiatën e Vjetër, është zbuluar në tërë lavdinë në Dhiatën e Re. Si Dhiata e Vjetër ashtu dhe Dhiata e Re u dhanë që të na “bëjnë të ditur për shpëtimin” (2 Timoteut 3:15). Kur i studiojmë testamentet nga afër, është e qartë që Perëndia “nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi” (Jakobit 1:17).

English



Kthehu tek faqja kryesore në Shqip

Përse është Perëndia kaq ndryshe në Dhiatën e Vjetër, sesa Ai është në Dhiatën e Re?
© Copyright Got Questions Ministries