A ekziston Zoti? A ka fakte për ekzistencën e Zotit?




Pyetje: A ekziston Zoti? A ka fakte për ekzistencën e Zotit?

Përgjigje:
A ekziston Zoti? Më duket interesant fakti që këtij debati i jepet kaq shumë vëmendje. Studimet e fundit kanë treguar se mbi 90% e njerzve në botë sot besojnë në ekzistencën e Zotit ose e ndonjë fuqie më të lartë. Megjithatë, në një farë mënyre përgjegjësia bie mbi ata që besojnë në ekzistencën e Zotit, për të vërtetuar në një farë mënyre që Ai me të vërtetë ekziston. Për mendimin tim duhet të jetë krejt e kundërta.

Në të vërtetë, ekzistenca e Zotit nuk mund të provohet ose të hidhet poshtë. Bibla thotë gjithashtu se ne duhet të pranojmë me anë të besimit faktin se Zoti ekziston, “Edhe pa besim është e pamundur t'i pëlqesh Atij, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është, dhe se është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë” (Hebrenjve 11:6). Nëse Zoti do të kishte dëshirë, Ai thjesht mund të shfaqej edhe t’i provonte botës si Ai ekziston. Por nëse Ai do ta bënte këtë gjë atëhere nuk do të kishte nevojë për besim. “Jezusi i tha: ``Sepse më ke parë, Thoma, ti ke besuar; lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar!'' (Gjoni 20:29).

Por kjo nuk do të thotë se nuk ka asnjë fakt për ezistencën e Zotit. Bibla deklaron: “Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij. Një ditë i flet ditës tjetër dhe një natë ia tregon tjetrës. Nuk kanë gojë, as fjalë; zëri i tyre nuk dëgjohet; por harmonia e tyre përhapet mbi gjithë dheun dhe mesazhi i tyre arrin deri në skajin e botës; në qiejtë Perëndia ka vënë një çadër për diellin” (Psalmet 19:1-4). Nëse vështrojmë yjet në qiell, pafundësinë e universit, mrekullitë e natyrës, bukurinë e perëndimit të diellit – të gjitha këto janë vepër e një Krijuesi Zot. E sikur kjo të mos mjaftonte, prova për ekzistencën e Zotit gjendet edhe në zemrën tonë. Tek libri i Predikuesit 3:11 thuhet: “Ai...ka vënë madje përjetësinë në zemrat e tyre...”. Ka diçka thellë brenda qenies sonë që na thotë se ka diçka përtej kësaj jete dhe është dikush përtej kësaj bote. Ne ndoshta mund ta mohojmë këtë zë nga ana intelektuale, por prania e Zoti në ne dhe nëpërmjet nesh është aty. Por megjithatë, Bibla na paralajmëron se disa do ta mohojnë ekzistencen e Zotit, “I pamendi ka thënë në zemër të tij: "Nuk ka Perëndi". (Psalmet 14:1). Përderisa mbi 98% e njerzve përgjatë historisë, në të gjitha kulturat, shoqëritë dhe kontinentet besojnë në ekzistencën e një farë Zoti – duhet të jetë diçka me patjetër(ose dikush) qe e nxit këtë besim.

Përveç argumetave të Biblës në lidhje me ekzistencën e Zoti, ka edhe argumenta logjik. I pari është argumenti ontologjik. Forma më e njohur e argumentit ontologjik në përgjithësi përdor konceptin e Zotit për të provuar ekzistencën e Zotit. Ajo fillon me përkufizimin e Zotit si “ekzistenca më e përktyer.” Është argumentuar pra se të ekzistosh është diçka më e madhërishme se sa të mos ekzistosh, prandaj qenia ekzistuese më e madhërishme duhet të ekzistojë me të vërtetë. Nëse Zoti nuk do të ekzistonte atëhere Ai nuk do të ishte qenia më e përkryer, por kjo do të binte në kundështim me vetë përkufizimin e Zotit. I dyti është argumenti teologjik. Argumenti teologjik është se përderisa universi shpalos një krijim kaq të mahnitshëm atëherë duhet të ketë pasur një Krijues Hyjnor. Për shembull, sikur toka të ishte vetëm disa qindra milje afër ose larg diellit, nuk do të ishte në gjendje të kishte një jetë të këtillë. Nëse elementet në atmosferën tonë do të ishin vetëm pak përqindje ndryshe, çdo gjallesë në tokë do të vdiste. Pobabiliteti që një molekulë proteine të jetë formuar rastësisht është 1 në 10 (ku 10 është e ndjekur nga 243 zero). Një qelizë e vetme përbëhet nga mijëra molekula proteine.

Një argument i tretë logjik në lidhje me ekzistencën e Zotit është argumenti kozmologjik. Çdo pasojë e ka një shkak. Universi dhe gjithçka në të është një pasojë. Duhet të ketë diçka që ka shkaktuar ekzistencën e gjithçkaje. Ky diçka “i pa-shkaktuar” është Zoti. Një argument i katërt është argumenti moral. Çdo kulturë përgjatë historisë, ka pasur një formë ligji. Gjithsecili ka një ndërgjegje të asaj që është e drejtë dhe asaj që është e gabuar. Të varit, të vjedhurit, të gënjyerit dhe imoraliteti janë pothuajse universalisht të dënueshme. Nga kush erdhi pra kjo ndërgjegje e së mirës dhe e së keqes veçse nga një Zot i shenjtë?

Përveç këtyre, Bibla na thotë se njerëszit do të refuzojnë dijen e pastër dhe të pamohueshme të Zotit dhe në vend të kësaj do të besojnë një gënjeshtër. Tek Romakëve 1:25 thuhet: “... e ndryshuan të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër dhe adhuruan dhe i shërbyen krijesës në vend të Krijuesit, që është i bekuar përjetë. Amen”. Bibla gjithashtu shpall se njerëzit janë të pafalshëm dhe të pajustifikueshëm për mosbesimin tek Zoti, “Në fakt cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë, me qëllim që ata të jenë të pafalshëm” (Romakëve 1:20).

Njerëzit thonë se nuk besojnë tek Zoti sepse “nuk është diçka shkencore” ose “sepse nuk ka asnjë provë”. E vërteta është se nëse njerëzit e pranojnë faktin që ka një Zot, ata gjithashtu duhet të kuptojnë se janë të përgjegjshëm para Zotit dhe që kanë nevojë për t’u falur (Romakëve 3:23; 6:23). Nëse Zoti ekziston, atëhere ne duhet të japim llogari para Tij, për të gjitha ato që kemi bërë. Nëse Zoti nuk ekziston atëhere ne mund të bëjmë çfarë të duam, pa e vrarë mendjen se Zoti do të na gjykojë. Mendoj se kjo është arsyeja pse evolucioni është kaq i besueshëm në shumë shoqëri, për t’u dhënë njerëzve një alternativë për të besuar në një Krijues Zot. Zoti ekziston dhe padyshim që të gjithë e dinë se Ai ekziston. Vetë fakti se disa mundohen të hedhin poshtë në mënyrë agresive ekzistencën e Tij, është në fakt një argument pro ekzistencës së Tij.

Më lejoni edhe një argument të funditr për ekzistencën e Zotit. Nga e di unë se Zoti ekziston? Une e di që Ai ekziston sepse flas me Të çdo ditë. Nuk e dëgjoj Atë me veshë kur Ai më flet, por e ndiej praninë e Tij, drejtimin e Tij, e njoh dashurinë e Tij, e dëshiroj hirin e Tij. Kanë ndodhur gjëra në jetën timë që nuk kanë shpjegim tjetër veçse Zotin. Zoti më ka shpëtuar në një mënyrë të mrekullueshme dhe më ka ndryshuar jetën, për këtë unë nuk mund të ndaloj së lavdëruari ekistencën e Tij. Asnjë nga këto argumente, nga dhe në vetvetë, nuk mund të bindë ata që refuzojnë të besojnë diçka kaq të qartë. Në fund të fundit ekzistenca e Zotit duhet të pranohet me besim (Hebrenjve 11:6). Besimi tek Zoti nuk është një hap i verbër drejt errësirës, është një hap i sigurt drejt një dhome të ndriçuar më së miri, në të cilën qëndrojnë tashmë 90% e njerzve.



Kthehu tek faqja kryesore në Shqip



A ekziston Zoti? A ka fakte për ekzistencën e Zotit?