Përse është kaq e rëndësishme lindja virgjërore?



Pyetje: Përse është kaq e rëndësishme lindja virgjërore?

Përgjigje:
Doktrina e lindjes virgjërore është e rëndësishme në mënyrë vendimtare (Isaia 7:14; Mateu 1:23; Luka 1:27, 34). Së pari, le të shohim se si e përshkruan Shkrimi këtë ngjarje. Duke iu përgjigjur pyetjes së Marisë: “Si do të ndodhë kjo?” (Luka 1:34), Gabrieli thotë: “Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty dhe pushteti i Shumë të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet” (Luka 1:35). Engjëlli e inkurajon Jozefin të mos ketë frikë të martohet me Marinë me këto fjalë: “Ç’është ngjizur në të është vepër e Frymës së Shenjtë” (Mateu 1:20). Mateu pohon se virgjëresha “mbeti shtatzënë nga Fryma e Shenjtë” (Mateu 1:18). Galatasve 4:4 mëson gjithashtu lindjen virgjërore: “Perëndia dërgoi Birin e tij, të lindur prej gruaje”.

Nga këto pjesë është e qartë me siguri që lindja e Jezusit ishte rezultat i veprimit të Frymës së Shenjtë brenda trupi të Marisë. [Realiteti] jolëndor (Fryma) dhe lëndor (barku i Marisë) ishin përfshirë të dyja. Sigurisht që Maria nuk mund të ngjizej vetë dhe në këtë kuptim ajo ishte thjesht një “enë”. Vetëm Perëndia mund ta kryente mrekullinë e Mishërimit.

Megjithëkëtë, mohimi i një lidhjeje fizike midis Marisë dhe Jezusit do të nënkuptonte që Jezusi nuk ishte vërtet njerëzor. Shkrimi mëson që Jezusi ishte plotësisht njeri, me një trup fizik si ky i yni. Këtë Ai e mori nga Maria. Në të njëjtën kohë, Jezusi ishte plotësisht Perëndi, me një natyrë të përjetshme, të pamëkatë (Gjoni 1:14; 1 Timoteut 3:16; Hebrenjve 2:14-17).

Jezusi nuk lindi në mëkat; domethënë, Ai nuk kishte natyrë mëkatare (Hebrenjve 7:26). Duket që natyra mëkatare kalohet nga brezi në brez përmes babait (Romakëve 5:12, 17, 19). Lindja Virgjërore shmangu transmetimin e natyrës mëkatare dhe bëri të mundur që Perëndia i përjetshëm të bëhej një njeri i përsosur.



Kthehu tek faqja kryesore në Shqip



Përse është kaq e rëndësishme lindja virgjërore?