Pyetje
Përse i lejon Perëndia gjërat e këqija t'u ndodhin njerëzve të mirë?
Kjo është një nga pyetjet më të vështira në tërë teologjinë. Perëndia është i përjetshëm, i pakufishëm, i gjithëdijshëm, i kudogjendshëm dhe i plotfuqishëm. Përse qeniet njerëzore (jo të përjetshme, jo të pakufishme, jo të gjithëdijshme, jo të kudogjendshme dhe jo të plotfuqishme) duhet të presin të jenë në gjendje për të kuptuar plotësisht rrugët e Perëndisë? Libri i Jobit e trajton këtë çështje. Perëndia e lejoi Satanin t'i bëjë çdo gjë që donte Jobit, përveçse ta vriste. Cili ishte reagimi i Jobit? “Edhe sikur të më vrasë, prapë do të shpresoj tek ai” (Jobi 13:15). “Zoti ka dhënë dhe Zoti ka marrë. Qoftë i bekuar emri i Zotit” (Jobi 1:21). Jobi nuk e kuptoi përse Perëndia i lejoi ato gjëra, por ai e dinte që Perëndia ishte i mirë dhe prandaj vazhdoi të shpresonte në Të. Përfundimisht, ky duhet të jetë edhe reagimi ynë.
Përse gjërat e këqija u ndodhin njerëzve të mirë? Përgjigjja biblike është se nuk ka njerëz “të mirë”. Bibla e bën tejet të qartë se të gjithë ne jemi të njollosur dhe të infektuar me mëkat (Predikuesi 7:20; Romakëve 6:23; 1 Gjonit 1:8). Romakëve 3:10-18 s'mund të jetë më qartë rreth mos-ekzistencës së njerëzve “të mirë”: “Nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një. Nuk ka asnjeri që të kuptojë, nuk ka asnjeri që të kërkojë Perëndinë. Të gjithë kanë dalë nga udha e tij, që të gjithë janë bërë të padobishëm, nuk ka asnjë që të bëjë të mirën, as edhe një. Gryka e tyre është një varr i hapur, me gjuhët e tyre kanë thurur mashtrime, ka helm gjarpërinjsh nën buzët e tyre; goja e tyre është plot mallkim dhe hidhësi; këmbët e tyre janë të shpejta për të derdhur gjak; në udhët e tyre ka rrënim dhe gjëmë, dhe nuk e kanë njohur udhën e paqes; nuk ka frikë Perëndie para syve të tyre”. Çdo qenie njerëzore në këtë planet meriton të hidhet në ferr në këtë çast. Çdo sekondë që e kalojmë të gjallë është vetëm në sajë të hirit dhe mëshirës së Perëndisë. Madje mjerimi më i tmerrshëm që mund të përjetojmë në këtë planet është i mëshirshëm në krahasim me atë që meritojmë, ferrin e përjetshëm në liqenin e zjarrit.
Një pyetje më e mirë do të ishte: “Përse i lejon Perëndia gjërat e mira t'u ndodhin njerëzve të këqij?” Romakëve 5:8 shpall: “Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne”. Pavarësisht natyrës mëkatare, të keqe, të ligë të njerëzve në këtë botë, Perëndia prapë na do. Ai na deshi aq sa mori dënimin për mëkatet tona (Romakëve 6:23). Nëse e pranojmë Jezus Krishtin si Shpëtimtar (Gjoni 3:16; Romakëve 10:9), ne do të jemi të falur dhe na premtohet një shtëpi e përjetshme në qiell (Romakëve 8:1). Çfarë ne meritojmë është ferri. Çfarë na jepet është jetë e përjetshme në qiell nëse shkojmë te Krishti me besim.
Po, ndonjëherë gjëra të këqija u ndodhin njerëzve të cilët duket se nuk i meritojnë ato. Por Perëndia i lejon gjërat të ndodhin për arsyet e Tij, qoftë nëse i kuptojmë ato apo jo. Por mbi të gjitha ne duhet të mbajmë mend që Perëndia është i mirë, i drejtë, i dashur dhe i mëshirshëm. Shpesh neve na ndodhin gjëra që thjesht nuk mund t'i kuptojmë. Megjithëkëtë, në vend që të dyshojmë mirësinë e Perëndisë, reagimi ynë duhet të jetë për t'i besuar Atij. “Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua” (Fjalët e Urta 3:5-6).
English
Përse i lejon Perëndia gjërat e këqija t'u ndodhin njerëzve të mirë?