settings icon
share icon
Pyetje

A shkoi Jezusi në ferr midis vdekjes dhe ringjalljes së Tij?

Përgjigjia


Ekziston shumë pështjellim në lidhje me këtë pyetje. Ky koncept vjen kryesisht nga Kredoja e Apostujve, e cila thotë, “Ai zbriti në ferr”. Ka edhe disa vargje biblike të cilat, në varësi të mënyrës se si përkthehen, e përshkruajnë Jezusin që të ketë shkuar në “ferr”. Ndërsa studiojmë këtë çështje është e rëndësishme të kuptojmë në fillim atë që mëson Bibla për sferën e të vdekurve.

Në Shkrimet Hebraike, fjala e përdorur për të përshkruar sferën e të vdekurve është sheol. Do të thotë thjesht “vendi i të vdekurve” ose “vendi i shpirtrave/frymëve të larguara”. Fjala greke e Dhiatës së Re e përdorur për ferrin është “hades”, që gjithashtu i referohet “vendit të të vdekurve”. Vargje të tjera të Shkrimit në Dhiatën e Re tregojnë që sheoli/hadesi është një vend i përkohshëm, ku mbahen shpirtrat ndërsa presin ringjalljen dhe gjykimin përfundimtar. Zbulesa 20:11-15 jep një dallim të qartë midis të dyve. Ferri (liqeni i zjarrit) është vendi përfundimtar dhe i përhershëm i gjykimit për të humburit. Hadesi është një vend i përkohshëm. Pra, jo, Jezusi nuk shkoi në ferr, pasi ferri është një sferë e së ardhmes, që do të përdoret vetëm mbas Gjykimit të Fronit të Madh të Bardhë (Zbulesa 20:11-15).

Sheoli/hadesi është një sferë me dy ndarje (Mateu 11:23; 16:18; Luka 10:15; 16:23; Veprat 2:27-31), vendbanimet e të shpëtuarve dhe e të humburve. Vendbanimi i të shpëtuarve ishte quajtur “parajsë” dhe “gjiri i Abrahamit”. Vendbanimet e të shpëtuarve dhe e të humburve janë të ndarë nga një “humnerë e madhe” (Luka 16:26). Kur Jezusi u ngjit në qiell, Ai i mori banorët e parajsës (besimtarët) me Vete (Efesianëve 4:8-10). Ana e të humburve e sheolit/hadesit ka mbetur e pandryshuar. Të gjithë të vdekurit mosbesues shkojnë atje në pritje të gjykimit të tyre përfundimtar në të ardhmen. A shkoi Jezusi në sheol/hades? Po, sipas Efesianëve 4:8-10 dhe 1 Pjetrit 3:18-20.

Një pjesë e pështjellimit ka ardhur nga pjesë të tilla si Psalmi 16:10-11 siç është përkthyer nga Versioni i Mbretit Xhejms: “Sepse ti nuk do ta lësh shpirtin tim në ferr dhe nuk do të lejosh që i Shenjti yt të shohë korruptimin. Ti do të më tregosh shtegun e jetës”. “Ferr” nuk është një përkthim i saktë i këtij vargu. Një lexim i saktë do të ishte “varr” ose “sheol”. Jezusi i tha hajdutit pranë tij: “Sot do të jesh me mua në parajsë” (Luka 23:43). Trupi i Jezusit ishte në guvën e varrit; shpirti/fryma e Tij shkoi në anën “parajsë” të sheolit/hadesit. Më pas Ai i largoi të gjithë të vdekurit e drejtë nga parajsa dhe i mori me Vete në qiell. Fatkeqësisht, në shumë përkthime të Biblës, përkthyesit nuk janë në përputhje, ose të saktë, në mënyrën se si i përkthejnë fjalët hebraishte dhe greqisht për “sheol”, “hades” dhe “ferr”.

Disa janë të pikëpamjes që Jezusi shkoi në “ferr” ose në anën vuajtëse të sheolit/hadesit për t'u ndëshkuar më tepër për mëkatet tona. Kjo ide është krejt jobiblike. Ishte vdekja e Jezusit mbi kryqin dhe vuajtjet e Tij në vendin tonë që siguruan në mënyrë të mjaftueshme shpengimin tonë. Ishte gjaku i derdhur nga Ai që bëri të mundur pastrimin tonë nga mëkati (1 Gjonit 1:7-9). Ndërsa u varr mbi kryqin, atje Ai mori mbi Veten barrën e mëkatit për të gjithë racën njerëzore. Ai u bë mëkat për ne: “Sepse ai e bëri të jetë mëkat për ne atë që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të” (2 Korintasve 5:21). Kjo llogaritje e mëkatit na ndihmon të kuptojmë luftën e Krishtit në kopshtin e Gjetsemanisë me kupën e mëkatit që do të derdhej mbi Të në kryqin.

Kur Jezusi thirri mbi kryqin: “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?” (Mateu 27:46), ishte pikërisht atëherë që Ai ishte ndarë nga Ati për shkak të mëkatit të derdhur mbi Të. Ndërsa Ai e dha frymën e Tij, tha: “O Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën tim!” (Luka 23:46). Vuajtjet e Tij në vendin tonë kishin përfunduar. Shpirti/fryma e Tij shkoi në anën parajsë të hadesit. Jezusi nuk shkoi në ferr. Vuajtjet e Jezusit përfunduan në çastin që Ai vdiq. Pagesa për mëkatin ishte paguar. Më pas Ai priti ringjalljen e trupit të Tij dhe kthimit të Tij në lavdi në ngjitjen e Tij. A shkoi Jezusi në ferr? Jo. A shkoi Jezusi në sheol/hades? Po.

English



Kthehu tek faqja kryesore në Shqip

A shkoi Jezusi në ferr midis vdekjes dhe ringjalljes së Tij?
© Copyright Got Questions Ministries