Pyetje
Çfarë është plani i shpëtimit?
Përgjigjia
A jeni të uritur? Jo të uritur fizikisht, por a keni uri për më tepër në jetën tuaj? A ka diçka brenda jush që nuk mund të gjejë kurrë përmbushje? Nëse është kështu, atëhere Jezusi është rruga! Jezusi tha: “Unë jam buka e jetës; kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri dhe kush beson në mua, nuk do të ketë më kurrë etje” (Gjoni 6:35).
A ndiheni konfuzë? A ju duket sikur nuk po arrini të gjeni një rrugë ose një qëllim në jetë? A ju duket sikur dikush ju ka fikur dritat dhe ju nuk po e gjeni dot çelësin? Nëse është kështu, atëhere Jezusi është rruga! Jezusi shpalli: “Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës'' (Gjoni 8:12).
A ndiheni ndonjëherë sikur ju kanë lënë jashtë në jetë? A keni provuar shumë dyer dhe keni zbuluar se pas tyre fshihet diçka bosh dhe pa kuptim? A po kërkoni një derë për një jetë të plotë? Nëse është kështu, atëhere Jezusi është rruga! Jezusi tha: “Unë jam dera; nëse dikush hyn nëpërmjet meje, do të shpëtohet; do të hyjë, do të dalë dhe do të gjejë kullotë” (Gjoni 10:9).
A ndiheni gjithmonë të braktisur? A kanë qenë miqësitë tuaja sipërfaqësore dhe boshe? A ju duket sikur të gjithë mundohen të përfitojnë nga ju? Nësë është kështu, Jezusi është rruga! Jezusi tha: “Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë jep jetën e vet për delet...Unë jam bariu i mirë, dhe i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua” (Gjoni 10:11,14).
A ke menduar ndonjëherë se çfarë ndodh pas jetës? A jeni të lodhur duke jetuar për gjëra që prishen dhe ndryshken? A e pyesni veten ndonjëherë nëse kjo jetë ka një kuptim? A doni të jetoni pas vdekjes? Nëse është kështu, Jezusi është rruga! Jezusi tha: “Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë. Dhe ai që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë. A e beson këtë?” (Gjoni 11:25-26).
Çfarë është rruga? Çfarë është e vërteta? Çfarë është jeta? Jezusi u përgjigj: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje” (Gjoni 14:6).
Uria që keni është një uri shpirtërore të cilën vetëm Jezusi mund ta largojë. Jezusi është i vetmi që mund të largojë errësirën. Jezusi është porta drejt një jete të plotë. Jezusi është miku dhe bariu të cilin keni kërkuar. Jezusi është jeta – në këtë botë dhe në tjetrën. Jezusi është rruga e shpëtimit!
Arsyeja pse ndiheni të uritur, të humbur në errësirë; arsyeja pse nuk po gjeni një kuptim për jetën është se ju jeni të ndarë nga Zoti. Bibla na thote se ne të gjithë kemi mëkatuar dhe si rezultat jemi të ndarë nga Zoti (Predikuesit 7:20; Romakëve 3:23). Boshllëku që ndjeni në zemër vjen nga mungesa e Zotit në jetën tuaj. Ne u krijuam për të pasur miqësi me Zotin. Për shkak të mëkatit tonë jemi të ndarë nga kjo miqësi. Akoma më keq, mëkati ynë do të na ndajë nga Zoti përjetësisht, jo vetëm në këtë jetë por edhe në tjetrën (Romakëve 6:23; Gjoni 3:36).
Si mund të zgjidhet ky problem? Jezusi është rruga! Jezusi mori mëkatin tonë mbi veten e Tij (2Korintasve 5:21). Jezusi vdiq në vendin tonë (Romakëve 5:8), duke marrë dënimin që ne meritonim. Pas tri ditësh Jezusi u ringjall, duke siguruar vetë fitore mbi mëkatin dhe vdekjen (Romakëve 6:4-5). Pse e bëri këtë? Jezusi iu përgjigj vetë kësaj pyetjeje: “Askush s'ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij” (Gjoni 15:13). Jezusi vdiq që ne të mund të jetonim. Nëse e vendosim besimin tonë tek Jezusi dhe tek vdekja e Tij si pagesë për mëkatet tona, të gjitha mëkatet tona falen dhe pastrohen. Vetem kështu uria shpirtërore mund të largohet. Dritat do të ndizen. Ne do të kemi një jetë të plotë. Do të mund të njohim mikun tonë të vërtetë dhe bariun e mirë. Do ta dimë me siguri se do të kemi jetë pasi të vdesim – të ringjallur në qiell, në përjetësi me Jezusin!
“Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Gjoni 3:16).
A keni marrë një vendim në lidhje me Krishtin prej asaj që lexuat këtu? Nëse po, ju lutem klikoni poshtë tek butoni “Kam pranuar Krishtin sot.”
English
Çfarë është plani i shpëtimit?